Secondary Adv

Qeveria e Kosoves zgjat procesin e regjistrimit te popullsise

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të premten për ta zgjatur për një javë procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, duke mbështetur kërkesën e dhjetëra komunave.

 

Në një njoftim për media pas një mbledhjeje elektronike, ajo tha se gjithashtu është zgjatur deri në fund të gushtit edhe regjistrimi i diasporës.

 

Ajo tha se komunat e Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës, kishin kërkuar zgjatjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

 

Regjistrimi – i cili nisi më 5 prill dhe ishte përcaktuar të përfundonte më 17 maj – do të zgjasë tani deri më 24 maj 2024, sipas njoftimit.

 

“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare, që për çfarëdo arsye, nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në njoftim./Burimi: Balkanweb

 


Më të lexuarat